Secondary Adv

Mali i Zi paralajmeron vote kunder pranimit te Kosoves ne Keshillin e Evropes

Partia në pushtet në Mal të Zi e ka mbështetur deputeten e vet, Maja Vukiçeviç, si kryetare e delegacionit malazez, për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

 

“Përkrahja e plotë i është shprehur nënkryetares së partisë, Maja Vukiçeviç, kryetare e delegacionit malazez në APKE, që të votojë kundër pranimit të të ashtuquajturës Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet në deklaratën e partisë të publikuar më 24 mars.

 

PDP-ja është njëra nga anëtaret e Frontit Demokratik (FD) të shpërbërë prorus dhe proserb dhe përbën shumicën parlamentare në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Evropa Tani, e kryeministrit Millojko Spajiq.

 

Kjo parti, e udhëhequr nga njëri prej liderëve të ish-FD-së, Millan Knezheviç, avokon për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, daljen e Malit të Zi nga NATO-ja dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.

 

Kur erdhi në pushtet në fund të vitit të kaluar, PDP-ja njoftoi se nuk do t'i ngrinte këto çështje.

 

Në marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen Evropa Tani të kryeministrit Spajiç, palët ndër të tjera u pajtuan që Qeveria të mos merrte vendime që do të vinin në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, sanksionet kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, dhe detyrimet ndaj NATO-s.

 

Kosova u njoh në vitin 2008 nga Qeveria e Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviç, e cila në gusht të vitit 2020 humbi zgjedhjet ndaj FD-së proserbe dhe proruse, Demokratëve dhe lëvizjes URA.

 

Delegacioni i Malit të Zi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës përbëhet nga gjashtë anëtarë, nga të cilët katër janë anëtarë të Qeverisë dhe dy anëtarë të opozitës.

 

Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës e dorëzoi në Asamblenë Parlamentare kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë në prill të vitit 2023 dhe kështu nisën zyrtarisht procedurat për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës.

 

Pro kërkesës së Kosovës votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi. Për këtë reaguan ashpër një pjesë e partive proserbe në pushtet.

 

Të pakënaqur me faktin se Mali i Zi votoi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, deputetët e FD-së kërkuan një seancë dëgjimore të kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të atëhershme, Dritan Abazoviç.

 

Interesi i Malit të Zi për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është në mirë të stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, kishte thënë Abazoviç gjatë seancës së Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Parlamentit të Malit të Zi në maj 2023.

 

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

 

Kjo çështje mund të jetë vendimtare për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të atij institucioni, që do të mbahet në prill.

 

Nëse Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës – gjë që Qeveria kosovare pret të ndodhë në maj.

 

Në maj të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës./Burimi: REL/Shqiptarja.com


Më të lexuarat